Home » News » A2 përfundon procesin e punësimit, ekipi takohet me përfaqësuesit e CNN
Televizioni informativ A2, partneri ekskluziv i CNN në Shqipëri, njofton zyrtarisht se procesi i punësimit është përmbyllur me sukses. Pas një procesi të gjatë rekrutimi, A2 informon se disa nga profesionistët me më përvojë në mediat shqiptare janë zyrtarisht pjesë e stacionit më të ri televiziv. Stafi i ri, që përbëhet nga rreth 60 profesionistë të medias, u takuan së bashku për herë të parë më 6 shtator në mjediset e A2, në Aba Business Center në qendër të Tiranës. Në eventin që u mbajt me këtë rast në Zyrat Qendrore të A2, përfaqësuesit e A2 dhe CNN u takuan me ekipin dhe i përgëzuan ata që arritën në mënyrë suksesshme të bëhen pjesë e stacionit më të ri televiziv. Ata gjithashtu inkurajuan ekipin të vazhdojë misionin e A2 për të sjellë një stil të ri dhe unik të gazetarisë në Shqipëri. Administratori i A2, Andri Kasneci, tha se ky takim i parë ndërmjet drejtuesve të A2, përfaqësuesve të CNN dhe stafit të televizionit, shënon pikënisjen e një marrëdhënieje intensive, bazuar në parimet universale të profesionalizmit dhe etikës. “Ne kemi rastin të njohim njëri-tjetrin, kolegët tanë, bashkëpunëtorët, partnerët ekskluzivë dhe ata që kishin vizionin për të vendosur një standard të ri të gazetarisë në Shqipëri”, tha Kasneci. A2, si degë ekskluzive e CNN në Shqipëri, planifikon të nisë transmetimet deri në fund të vitit 2018. Ndërkohë kanë nisur një seri trajnimesh për stafin A2 të cilat po zhvillohen në Shqipëri, ndërsa trajnime të tjera janë planifikuar të mbahen së afërmi në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe, me ekspertë ndërkombëtarë dhe rajonalë. Greg Beitchman, Zëvendës President për Shitjen e Përmbajtjes dhe Partneritetet për CNN International Commercial, i tha audiencës së përbërë nga gazetarë të njohur dhe profesionistë të tjerë të medias shqiptare, se ky është fillimi i një epoke të re. “Misioni i A2 fillon sot duke përsosur aftësitë tuaja, duke iu zotuar standardeve më të mira të gazetarisë, duke krijuar programe të një klasi botëror si dhe raportim të shpejtë të ngjarjeve që do i ofroni audiencës”, tha z. Beitchman. Ekipi i ri u përshëndet edhe përmes një video-mesazhi nga Nick Robertson, Redaktori Ndërkombëtar Diplomatik i CNN. Studiot dhe zyra e A2 janë në fazën e fundit të pajisjes me teknologjinë dhe infrastrukturën më të përparuar, një proces që pritet të përfundojë brenda muajit shtator. Stacioni informativ A2 i cili ndodhet në Tiranë dhe me redaksi mbështetëse në qytete të tjera të Shqipërisë si dhe në vendet fqinje, do të prodhojë lajme nga vendi për audiencat shqipfolëse, por njëkohësisht do të bashkëpunojë ngushtë me rrjetin CNN në shpërndarjen e përmbajtjes. Themelimi i stacionit informativ A2, si një partneritet ekskluziv midis CNN (Cable News Network) dhe kompanisë shqiptare Gener 2, u njoftua për herë të parë në shkurt 2018.