Gener 2 është një kompani shqiptare me një gamë të gjerë dhe të diversifikuar biznesi. Portofoli kryesor i veprimtarive të Gener 2 konsiston në ndërtimin e objekteve rezidençialë, komercialë dhe industrialë si edhe infrastrukturë dhe ndërtim rrugësh. Gener 2 gjithashtu është një nga investitorët kryesorë në vend në pasuri të paluajtshme dhe menaxhim pronash. Një pjesë e rëndësishme e portofolit të Gener 2, është edhe energjitika, ku aktualisht kompania do të zhvillojë hidrocentrale me mbi 100 MW kapacitet të instaluar. Aktualisht, kompania është e angazhuar në një sërë projektesh në të gjithë vendin, duke kombinuar njohuritë, aftësitë, përvojën dhe angazhimin për të përfunduar çdo projekt me sukses dhe cilësi të lartë.
Me mbi 20 vite përvojë në treg, Gener 2 është pozicionuar si një nga kompanitë më prestigjioze të ndërtimit në vend. Që në fillimet e saj, Gener 2 ka synuar zhvillimin e qëndrueshëm duke bashkuar përvojën e paçmuar të gjeneratës së vjetër të ndërtuesve me njohuritë dhe përvojën e më të rinjve të edukuar ne vendet e BE dhe Amerikës së Veriut.
Gener 2 është një nga 10 kompanitë më të mëdha në vend dhe më e madhja në fushën e ndërtimit, duke qënë njëkohësisht një nga punëdhënësit më të mëdhenj të sektorit privat me mbi 900 punonjës.
Portofoli ynë i ndërtimit është i larmishëm dhe kompleks duke përfshirë objekte rezidenciale, qendra tregtare dhe biznesi, infrastrukturë rrugore, ujësjellës dhe kanalizime, fibra optike, fabrika të përpunimit, porte dhe kullën e kontrollit ajror të aeroportit kombëtar të Rinasit. Njëkohësisht, Gener 2 ka lënë gjurmë domethënëse në fushën e ndërtimit me objekte thuajse në çdo zonë të kryeqytetit.
Një nga projektet më të rëndësishëm të Gener 2, është Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. TAP-i do të përshkojë Greqinë e Veriut, Shqipërinë, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror. Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 211 kilometra në pjesën tokësore. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë, vijon në Korçë, Skrapar, Berat dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Gener 2 është përzgjedhur nga TAP për përgatitjen dhe rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe urave në Shqipëri, një projekt i cili është drejt përfundimit.
Duke operuar me mbi 20 vite në fushën e ndërtimit, Gener 2 ka përftuar një eksperiencë të jashtëzakonshme ne këtë fushë, duke përfunduar suksesshëm mbi 30 projekte të ndryshme ndërtimore vetëm gjate 10 viteve të fundit. Me një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin shqiptar, Gener 2 është lider në treg në implementimin me sukses të projekteve në kushtet atmosferike të vështira dhe terrene specifike.
Gjatë rrugëtimit të gjatë disa vjeçar, Gener 2 ka ndërtuar mbi 2,800 njësi banimi dhe ka në projekt edhe 600 të tjera, duke arritur një sipërfaqe ndërtimi mbi 400,000 m2 dhe duke sjellë çdo herë trendet më të fundit në dizajn dhe shërbime për të plotësuar dhe tejkaluar pritshmëritë e klientëve aktualë dhe të ardhshëm. Projektet kryesorë rezidencialë dhe komercialë, të konceptuara dhe zbatuara nga Gener 2 vitet e fundit janë:
ABA Business Centre: Një nga objektet komerciale më të larta, moderne dhe të njohura në kryeqytet me një sipërfaqe prej 38,000 m2.
Toptani Shopping Center: Qendra tregtare më e madhe në vend me një sipërfaqe totale prej 60,000 m2. Projekti “Liqeni”: Një nga komplekset rezidenciale më unike në vend me struktura të larta dhe sipërfaqe totale 130,000 m2.
Projekti TAP i rrugëve dhe urave, që konsiston në përgatitjen dhe rehabilitimin e infrastrukturës rrugore prej 115 km dhe rehabilitimin e 41 urave, duke përfshirë edhe ndërtimin e dy urave të reja.
Përgjatë viteve, ne kemi implementuar projekte të cilat variojnë nga më të thjeshtat tek më komplekset, me një shkallë vështirësie shumë të lartë, si rruga e Arbrit, e cila u implementua në kushtet më të vështira terrenore në vend.