Home » News » Qartësim publik mbi projektin “Blu Borgo” nga Gener 2
Duke ndjekur me vëmendje protestën e sotme në zonën e Rrjollit, dëshirojmë të sqarojmë publikun mbi deklaratat lidhur me projektin tonë “Blue Borgo”.
“Blue Borgo” është një projekt i zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin, me respekt për mjedisin dhe me një vizion afatgjatë për zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonës dhe veriut të Shqipërisë.
Më poshtë gjeni argumentet dhe faktet mbi ligjshmërinë e projektit, mbrojtjen e mjedisit dhe benefitet ekonomike që do të sjellë ky zhvillim rajonal në veri të vendit.
Prona dhe proçeset e kërkuara ligjore kanë kaluar fazat e shqyrtimit nën verifikimin e plotë të autoriteteve dhe nuk rezulton asnjë pengesë ligjore për vijimin normal të punimeve.
Projekti është pajisur me të gjitha lejet nga autoritetet kompetente, pas ndjekjes së procedurave ligjore, teknike dhe administrative, sipas kërkesave të legjislacionit. Gener 2 është palë ndërtuese dhe ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me pronarin e truallit.
Në këtë kuadër, pretendimet për “cënim të pronës private”, nuk kanë asnjë bazë faktuale. Çdo pretendim mbi pronësinë duhet të trajtohet nga institucionet kompetente, për të shmangur keqinterpretimet.
Në lidhje me rrethimin e kantierit, sqarojmë se rrethimi është në përputhje me standardet ligjore dhe të sigurisë në kantier, me qëllim garantimin e sigurisë së punonjësve, komunitetit dhe mjedisit përreth.
Së pari, sipërfaqja që zë ndërtimi në projekt është më pak se 10% e sipërfaqes së truallit, i cili në total është 148 hektarë. Së dyti, brenda sipërfaqes së truallit aktual do të shtohen edhe 300,000 m² gjelbërim, peizazh dhe hapësira të gjelbra.
Në projekte të tilla moderne vlera nuk krijohet vetëm nga ndërtesat. Vlera krijohet nga raporti mes hapësirave të ndërtuara, gjelbërimit, peizazhit dhe hapësirave publike sipas parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.
Bazuar në raportin e ndikimit në mjedis, janë marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet që në fillim të projektit: për ruajtjen e korridoreve ekologjike dhe peizazhit natyror, respektimin e distancës 300m nga bregdeti, dhe mbrojtjen e dunave dhe biodiversitetin.
Ky projekt do të ketë një impakt të konsiderueshëm ekonomik, social dhe turistik në vend. Gjatë fazës së ndërtimit parashikohet punësimi i rreth 3000 personave, ku pjesa më e madhe do të jenë jenë banorë të zonave përreth. Ndërsa gjatë fazës së operimit dhe menaxhimit të projektit, pritet të punësohen rreth 1000 punonjës me kohë të plotë gjatë gjithë vitit.
Përveç punësimit, ndikimi ekonomik do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë lokalë, duke rritur kërkesën për produkte bujqësore, transport dhe produkte tradicionale të zonës. Në këtë mënyrë, projekti pritet të ketë një efekt shumëfishues për ekonominë lokale dhe zhvillimin rajonal.
Ky investim synon të krijojë një qytezë turistike të mirëplanifikuar, që rrit gradualisht vlerën e zonës përreth, zgjeron sezonin turistik përgjatë vitit dhe forcon reputacionin e Shqipërisë si një destinacion turistik me cilësi të nivelit ndërkombëtar.
Kompania Gener 2 mbetet e angazhuar për transparencë, respektim të ligjit dhe zbatim të standardeve më të larta mjedisore dhe të sigurisë gjatë gjithë realizimit të projektit.